Shkatërrohet banda shqiptare e kokainës në Belgjikë, 8 të arrestuar – në pranga edhe “Gjenerali”
Një grup kriminal shqiptar i dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës është goditur nga Policia Federale Gjyqësore në Belgjikë. Tetë persona janë arrestuar në kuadër të operacionit, ndërsa katër prej tyre janë lënë në paraburgim me vendim të autoriteteve gjyqësore.
Hetimi kishte nisur rreth një vit më parë, pasi policia belge mori informacion se sasi të konsiderueshme kokaine po ruheshin në një apartament në Berchem, në Antwerp.
Sipas mediave belge, një shqiptar 48-vjeçar dyshohet se kishte rol ndërmjetësues mes grupeve kriminale shqiptare dhe rrjeteve të trafikut në Amerikën Latine.
Prokuroria e Antwerp-it dyshon se ai koordinonte transportin, nxjerrjen dhe shpërndarjen e drogës, ndërsa kishte krijuar kontakte edhe me grupe të tjera kontrabande në vende të ndryshme të Evropës dhe deri në Australi.
Gjatë hetimit, autoritetet kishin sekuestruar më herët dy ngarkesa me kokainë, përkatësisht 46 dhe 53 kilogramë.
Në pranga edhe shqiptari i kërkuar për vrasje
Hetimi zbuloi gjithashtu lidhje mes të dyshuarit kryesor dhe një 52-vjeçari shqiptar, i cili kërkohej ndërkombëtarisht për një vrasje të kryer në Itali në vitin 1997.
Bëhet fjalë për Gert Generali, i njohur me nofkën “Gjenerali”. Ai u arrestua në Antwerp nga ekipi FAST i Policisë Federale belge.
Generali dyshohet për përfshirje në vrasjen e një burri në Milano në vitin 1997. Sipas hetuesve, arma ishte fshehur mes një buqete me lule.
Ekstradimi i tij drejt Italisë mbetet ende në pritje të procedurave përkatëse.
Çfarë gjeti policia gjatë kontrolleve?
Në kuadër të operacionit, kontrolle janë kryer në disa zona, përfshirë Antwerp, Berchem, Deurne, Kapellen dhe Bruksel.
Gjatë bastisjeve, policia sekuestroi:
- armë zjarri dhe municione;
- jelekë antiplumb;
- pajisje për bllokimin e sinjaleve;
- shuma parash cash;
- makinë për numërimin e parave;
- pasaporta dhe karta identiteti të falsifikuara;
- presa dhe kallëpe të dyshuara se përdoreshin për prodhimin e blloqeve të kokainës.
Nga gjashtë të dyshuarit që u paraqitën para gjyqtarit hetues, katër u lanë në paraburgim, një u lirua me kushte dhe një tjetër u la i lirë.
Operacioni është zhvilluar nën drejtimin e Policisë Federale Gjyqësore të Antwerp-it, në bashkëpunim me autoritetet e vendeve të tjera dhe Europolin.
Në kuadër të të njëjtit hetim, autoritetet kanë sekuestruar edhe 37 kilogramë kokainë në Shqipëri, e cila ishte fshehur brenda një ene frigoriferike.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha lidhjet e rrjetit kriminal dhe rolin e personave të përfshirë.
