Momente paniku janë regjistruar në bordin e një avioni të American Airlines, pasi një laptop i një pasagjeri ka marrë flakë gjatë fluturimit nga Atlanta drejt Dallas-Fort Worth.
Ngjarja ndodhi të premten, më 21 gusht, në fluturimin AA2398, i cili kryhej me një Airbus A321 me 133 persona në bord.
Teksa avioni po afrohej për ulje në Dallas, piloti njoftoi kontrollin ajror se ishte raportuar një zjarr në pjesën e pasme të kabinës. Ekuipazhi reagoi menjëherë për të izoluar pajisjen dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.
Sipas komunikimeve me kontrollorët, zjarri dyshohet se ishte shkaktuar nga bateria e laptopit të një pasagjeri. Pajisja u zhvendos dhe u izolua në një çantë të posaçme termike, e cila përdoret për raste kur bateritë litium-jon mbinxehen ose marrin flakë.
Në momentet e para, piloti raportoi se rreth katër ose pesë pasagjerë mund të kishin pësuar djegie. Megjithatë, pas uljes, informacionet treguan se vetëm një pasagjer kishte marrë trajtim mjekësor dhe ishte liruar në vend.
Avioni u ul në mënyrë të sigurt në Aeroportin Ndërkombëtar Dallas-Fort Worth rreth orës 18:55, ku ekipet e emergjencës ishin në gatishmëri.
American Airlines konfirmoi se fluturimi përfundoi pa probleme madhore dhe vlerësoi reagimin e ekuipazhit, i cili arriti të izolonte me shpejtësi pajisjen.
Edhe Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) ka konfirmuar incidentin dhe ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.
Ngjarja rikthen vëmendjen te rreziku i baterive litium-jon, të cilat përdoren gjerësisht në laptopë dhe pajisje të tjera elektronike dhe, në raste të rralla, mund të mbinxehen duke shkaktuar tym ose zjarr.
