Ministrat e Qeverisë Rama 4 nuk do të kenë pushime deri në fund të muajit gusht. Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë kabinetin qeveritar në takimin tradicional informal, i njohur si “retreat”, për të përcaktuar prioritetet e punës për muajt në vijim.
Sipas burimeve qeveritare, takimi është planifikuar të zhvillohet më 24 dhe 25 gusht në Pogradec. Gjatë këtyre dy ditëve, secili ministër do të raportojë mbi objektivat dhe planin e punës së dikasterit që drejton, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar.
Ndërkohë, brenda Partisë Socialiste po diskutohet edhe mundësia e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare në fillim të shtatorit, përpara rikthimit të Kuvendit në punë më 7 shtator.
Një mbledhje e tillë mund të shoqërohet edhe me lëvizje në kabinetin qeveritar. Burime brenda mazhorancës bëjnë me dije se prej javësh po qarkullojnë zëra për ndryshime të mundshme në drejtimin e të paktën gjashtë ministrive.
Megjithatë, vendimi përfundimtar mbetet në dorën e kryeministrit Edi Rama, i cili shpesh ka surprizuar me lëvizjet e tij politike.
Muaji shtator pritet të jetë vendimtar si për qeverinë, ashtu edhe për Partinë Socialiste. Rama u ka kërkuar ministrave dhe drejtuesve socialistë më shumë përgjegjësi dhe rezultate konkrete, duke e lidhur këtë me zbatimin e dokumentit “Besa”, të cilin e ka prezantuar si modelin e ri të qeverisjes në mandatin e katërt.
Në rast se mblidhet Asambleja Kombëtare e PS-së, në rendin e ditës pritet të përfshihet edhe mocioni për nisjen e dialogut kombëtar mbi një marrëveshje të re për Shqipërinë, i propozuar nga deputetja Elisa Spiropali.


Be First to Comment