Messi drejt fundit të një epoke? Paredes zbulon prapaskenat që shqetësuan Argjentinën
Pas triumfit në Kupën e Botës dhe finales emocionuese ndaj Spanjës, Argjentina po përballet me një periudhë ndryshimesh të mëdha. Euforia e titullit botëror është zbehur dhe një brez i artë i ekipit duket se po i afrohet fundit të rrugëtimit të tij.
Largimet kanë nisur tashmë. Nicolas Otamendi ka njoftuar tërheqjen nga kombëtarja, ndërsa e ardhmja e trajnerit Lionel Scaloni mbetet ende e pasigurt. Mesfushori Leandro Paredes, i rikthyer te Boca Juniors, ka pranuar se disa prej lojtarëve kryesorë po mendojnë për hapin e fundit me fanellën e Argjentinës.
Por pas këtyre ndryshimeve fshihet një tjetër shqetësim i madh: e ardhmja e Lionel Messit me kombëtaren. Gjatë gjithë turneut, ekzistonte ndjenja se kjo mund të ishte një nga paraqitjet e fundit të yllit argjentinas në skenën më të madhe të futbollit.
Në një intervistë për DSports, Paredes foli për mundësinë që Messi ta kishte menduar tërheqjen pas Kupës së Botës.
“Na dhembte sepse gjatë gjithë turneut e dinim që nuk donim të vinte ndeshja e fundit e Leos. Mendoj se ai e kishte marrë vendimin që mund të ishte ndeshja e tij e fundit me kombëtaren”, u shpreh Paredes.
Megjithatë, mesfushori la ende një fije shprese për tifozët: “Shpresoj që jo. Shpresoj që ai të vazhdojë të luajë. Do të jetë vendimi i tij dhe ne do ta respektojmë, sepse ajo që e bën të lumtur atë, na bën të lumtur edhe ne”.
Fjalët e Paredes kanë rikthyer frikën se kapitulli i Lionel Messit me Argjentinën mund të jetë pranë fundit, edhe pse tifozët shpresojnë ta shohin numrin legjendar 10 edhe për pak kohë me fanellën bardhekaltër.


Be First to Comment