Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka njoftuar se nuk do të rikandidojë për drejtimin e Sekretariatit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të PD-së.
Pas 12 vitesh dhe tre mandatesh radhazi në këtë funksion, Kaso ka bërë të ditur se vendimi i tij lidhet me angazhimin e plotë në detyrat e tij si deputet, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe nënkryetar i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Në një mesazh drejtuar demokratëve, Kaso falënderoi mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë këtyre viteve, duke theksuar se ka qenë një periudhë e mbushur me sfida dhe përballje politike.
Ai u shpreh se një nga betejat më të rëndësishme ka qenë rikthimi i simboleve dhe flamurit të Partisë Demokratike tek demokratët, duke e cilësuar këtë si një fitore të arritur falë rezistencës dhe sakrificës së anëtarësisë.
Kaso falënderoi gjithashtu kryetarin e PD-së, Sali Berisha, për besimin e dhënë gjatë ushtrimit të kësaj detyre, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm dhe kolegët e tij për bashkëpunimin ndër vite.

Be First to Comment