Ali Ahmeti: Gjykata Speciale u votua për t’ia hequr “gurin prej qafe” UÇK-së
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ata që votuan për themelimin e Gjykatës Speciale duhet të kërkojnë falje.
Ahmeti foli për këtë çështje gjatë pjesëmarrjes në “Marshin për Liri”, të zhvilluar në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sipas Ahmetit, krijimi i Gjykatës Speciale ishte kërkuar nga faktori ndërkombëtar, ndërsa votimi në Kosovë u bë me synimin për të larguar akuzat që rëndonin mbi UÇK-në dhe popullin shqiptar.
“Gjykata Speciale është tashmë një proces dhe ata që kanë votuar për të janë pikërisht në Hagë. Ky veprim është bërë për t’ia hequr gurin prej qafe UÇK-së dhe popullit shqiptar, pasi pretendohej se UÇK-ja kishte qenë një ndërmarrje kriminale”, u shpreh Ahmeti.
Ai tha se qëllimi i votimit ishte që, përmes procesit gjyqësor, të zbardhej e vërteta dhe të pastrohej emri i UÇK-së.
Ahmeti hodhi gjithashtu akuza ndaj procesit në Hagë, duke kundërshtuar pretendimet e lidhura me “Shtëpinë e Verdhë” dhe raportin e Dick Marty-t. Sipas tij, çështja më pas është shndërruar në një proces të bazuar, siç pretendoi ai, në dëshmitarë të rremë dhe materiale të pafaktuara.
“Unë e kam thënë që në fillim se nuk ka pasur të vërtetë për Shtëpinë e Verdhë dhe librin e Dick Marty-t”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se procesi duhet të shërbejë për zbardhjen e së vërtetës.
