Pesë efektivë policie u vranë dhe disa të tjerë mbetën të plagosur të mërkurën pas një sulmi të armatosur në shtetin perëndimor meksikan të Michoacánit, një zonë e njohur për aktivitetin e grupeve të fuqishme kriminale. Ngjarja ndodhi vetëm pak orë përpara nisjes së Kupës së Botës, të cilën Meksika do ta presë së bashku me vende të tjera.
Sipas autoriteteve lokale, automjeti me të cilin po udhëtonin oficerët u qëllua me breshëri plumbash. Pamjet e siguruara nga AFP tregojnë mjetin e dëmtuar rëndë pas sulmit.
Sulmi ndodhi në komunën Nahuatzen, një zonë e banuar nga komuniteti indigjen Purepecha, ku autoritetet besojnë se vepron karteli i fuqishëm Jalisco New Generation (JNGC). Departamenti i Sigurisë së Michoacánit ka nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Michoacáni njihet si qendra e industrisë së avokados në Meksikë, me një ekonomi që gjeneron miliarda dollarë në vit, si dhe për prodhimin e agrumeve dhe portin e rëndësishëm në brigjet e Paqësorit. Megjithatë, rajoni vazhdon të përballet me probleme serioze të sigurisë, përfshirë trafikun e drogës, zhvatjet dhe rekrutimin e detyruar të të rinjve nga grupet kriminale.
Kryeqyteti i shtetit, Morelia, ndodhet rreth 300 kilometra larg qyteteve Guadalajara dhe Mexico City, të cilat do të jenë mes pritëseve të ndeshjeve të Kupës së Botës. Turneu hapet sonte në stadiumin Azteca në kryeqytetin meksikan.
Pas një sërë ngjarjesh të dhunshme, përfshirë vrasjen e kryebashkiakut të Uruapanit dhe të kreut të një shoqate prodhuesish agrumesh në nëntor, autoritetet kanë dislokuar rreth 12 mijë ushtarë në Michoacán, në përpjekje për të frenuar aktivitetin e karteleve kriminale.