Pak ditë para fundjavës së plazhit, moti sjell surprizë: priten reshje shiu dhe stuhi lokale
Ditën e enjte vendi do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Gjatë pjesës së parë të ditës moti parashikohet kryesisht i kthjellët, me vranësira të pakta deri mesatare kalimtare në zonat malore të lindjes.
Megjithatë, situata pritet të ndryshojë gradualisht. Nga mesdita deri në orët e pasdites së vonë parashikohen reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët në relievet malore lindore. Më pas, vranësirat do të shtohen në të gjithë territorin, fillimisht në veri dhe gradualisht edhe në zonat e tjera të vendit.
Lajmi që mund të zhgënjejë ata që kanë planifikuar plazhin në fundjavë është se reshjet e shiut pritet të shtrihen në pjesën më të madhe të territorit. Në disa zona, reshjet mund të marrin formën e shtrëngatave afatshkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe, në raste të izoluara, edhe me breshër.
Sa i përket temperaturave, ato do të mbeten të larta, me vlerat maksimale që pritet të arrijnë deri në 33°C, ndërsa minimalet do të zbresin deri në 12°C.
Era do të fryjë nga kuadrati i perëndimit me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, herë pas here pritet të forcohet deri në 14 m/s.