SHBA nxit Kosovën t’i bashkohet projektit të LNG-së dhe të diversifikojë burimet e energjisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur mbështetjen e tyre për diversifikimin e burimeve energjetike në Kosovë, duke e inkurajuar vendin që t’i bashkohet projektit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) dhe të shfrytëzojë teknologji të reja për prodhimin e energjisë.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Ambasada e SHBA-së në Kosovë theksoi se Washingtoni mbështet përdorimin e teknologjisë amerikane për gazifikimin e qymyrit, shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme dhe integrimin e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror.
Sipas Ambasadës, Kosova aktualisht nuk prodhon energji të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e brendshme, ndaj zgjerimi i burimeve energjetike mbetet një domosdoshmëri.
“Kosova ka nevojë për të gjitha burimet e energjisë që ka në dispozicion për të përmbushur kërkesën në rritje, për të forcuar sigurinë energjetike dhe për të zvogëluar varësinë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Më tej, diplomatët amerikanë theksojnë se diversifikimi nuk duhet parë si zgjedhje mes një burimi apo një tjetri, por si krijim i më shumë alternativave të besueshme për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji në të ardhmen.
Sipas tyre, rritja e kërkesës për energji në vitet e ardhshme e bën të domosdoshëm zgjerimin e kapaciteteve dhe burimeve të furnizimit për Kosovën.