Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Princ Valentino Corleones në lidhje me rastin e posedimit të paautorizuar të narkotikëve.
Corleone është dënuar me një vit burgim me kusht, ndërsa është obliguar të paguajë edhe 4 mijë euro gjobë. Dënimi me burg nuk do të ekzekutohet menjëherë, pasi gjykata ka përcaktuar një periudhë verifikuese prej dy vitesh, e cila fillon nga dita kur aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm.
Nëse gjatë kësaj periudhe ai nuk kryen vepër tjetër penale, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet.
Gjoba prej 4 mijë eurosh duhet të paguhet brenda 90 ditësh nga momenti kur aktgjykimi merr formën e prerë. Në rast se shuma nuk paguhet brenda afatit, ajo mund të zëvendësohet me dënim me burgim, ku një ditë burgim llogaritet me 20 euro të gjobës.
Fillimisht, Corleone ishte akuzuar për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, vepra penale është ricilësuar, ndërsa gjykata e ka shpallur fajtor për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Aktgjykimi është shpallur të mërkurën nga trupi gjykues i kryesuar nga Agim Kuçi, me anëtarët Gent Beka dhe Adnan Kamberi.
Vendimi ende duhet të marrë formën e prerë, ndërsa palët kanë mundësi të ushtrojnë ankesë brenda afateve ligjore.
