Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për lirim të përkohshëm, duke kërkuar që ai të vazhdojë të mbahet në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit.
Në parashtresën e dorëzuar në Gjykatën Speciale, kryeprokurorja Kimberly West argumenton se ende ekzistojnë rreziqe konkrete që justifikojnë vazhdimin e masës së paraburgimit. Sipas saj, mbetet shqetësues rreziku i frikësimit ose ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve, si dhe mundësia e pengimit të procesit gjyqësor.
West thekson se fakti që shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë është caktuar për 16 shtator 2026 nuk përbën arsye për ndryshimin e masës së sigurisë. Sipas saj, periudha e mbetur e paraburgimit është e kufizuar dhe proporcionale me kompleksitetin e çështjes dhe seriozitetin e akuzave.
Prokuroria vlerëson gjithashtu se masat alternative ndaj paraburgimit nuk do të ishin të mjaftueshme për të eliminuar rreziqet e identifikuara. Në dokument thuhet se klima e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve, rritja e vëmendjes publike për shkak të afrimit të vendimit dhe rreziku i mundshëm për pengimin e procedurës apo kryerjen e veprave të tjera penale mbështesin nevojën që Veseli të mbetet në paraburgim deri në përfundimin e procesit.

Be First to Comment