Qeveria miraton një varg projektligjesh dhe vendimesh, përfshirë reformën në drejtësi dhe energjinë
Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje elektronike, gjatë së cilës ka miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh në fusha të ndryshme.
Në mesin e projektligjeve të miratuara është edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sipas Qeverisë, përmes këtij projektligji synohet themelimi dhe organizimi i Byrosë, përcaktimi i kompetencave të saj, si dhe rregullimi i procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Në kuadër të reformës në drejtësi, Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Ky projektligj përcakton rregullat dhe procedurat që lidhen me rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili përcakton parimet dhe procedurat për përgjegjësinë disiplinore, organet kompetente dhe masat që mund të ndërmerren në rast të shkeljes së detyrimeve profesionale.
Pjesë e pakos për reformën në drejtësi janë edhe projektligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.
Sipas Qeverisë, Projektligji për Akademinë e Drejtësisë synon të sigurojë zhvillim të vazhdueshëm, cilësor dhe të standardizuar profesional për gjyqtarët, prokurorët dhe profesionistët e tjerë të sistemit të drejtësisë.
Në mbledhjen elektronike janë miratuar edhe Projektligji për Energjinë dhe Projektligji për Energjinë Elektrike.
Projektligji për Energjinë përcakton parimet dhe rregullat e përgjithshme për aktivitetet në sektorin energjetik, me synim garantimin e një furnizimi të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji. Ai parasheh gjithashtu krijimin e kushteve për një treg të hapur dhe konkurrues, mbrojtjen e konsumatorëve, përfshirë kategoritë e cenueshme, si dhe integrimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë.
Ndërkaq, Projektligji për Energjinë Elektrike përcakton rregullat dhe masat për sektorin e energjisë elektrike, me qëllim garantimin e furnizimit të sigurt dhe të qëndrueshëm, si dhe ofrimin e energjisë me çmime të përballueshme dhe transparente për konsumatorët fundorë.
Qeveria ka miratuar gjithashtu Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Në mesin e vendimeve të miratuara janë edhe Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare.
Ky i fundit synon parandalimin e vonesave në pagesat e transaksioneve tregtare dhe përcaktimin e rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatëvonesave ndërmjet shoqërive tregtare, si dhe ndërmjet bizneseve dhe autoriteteve publike.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin për t’ia propozuar Kuvendit kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, si dhe kandidatët për dy pozita të anëtarëve të këtij bordi.
Janë miratuar edhe disa vendime për dhënien me qira të pjesëve të parcelave në zona të ndryshme kadastrale, të destinuara për nxjerrjen, përpunimin dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror, gurit dekorativ dhe materialeve të tjera.
Parcelat përkatëse ndodhen në Semajë të Kaçanikut, Vasilevë dhe Korroticë të Epërme të Drenasit, Rahovec, Samadrexhë të Suharekës, Zatriq të Rahovecit, Raçak të Shtimes dhe Strazhë të Kaçanikut.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe Deklarata e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë për periudhën 2027-2029. Dokumenti përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetit vjetor.
Ndër vendimet e tjera, Qeveria ka vendosur t’ia vazhdojë edhe për tre muaj mandatin Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Në përfundim, janë miratuar edhe Lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Kategorinë e Ulët dhe të Mesme Drejtuese, si dhe vendimi për pezullimin nga marrëdhënia e punës të një nëpunësi civil të kategorisë së lartë drejtuese.
