Qeveria ka miratuar një paketë të re sociale që synon të rrisë mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara, familjet e tyre dhe ndihmësit personalë.
Një nga masat kryesore është dyfishimi i pagesës për 10,240 fëmijë me aftësi të kufizuara. Sipas vendimit, kjo masë do të ketë një kosto shtesë prej 750 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit dhe do të zbatohet me efekte financiare duke nisur nga 1 korriku 2026.
Qeveria thekson se rritja e mbështetjes financiare synon të përmirësojë cilësinë e jetës së fëmijëve me aftësi të kufizuara, të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve dhe të nxisë zhvillimin, përfshirjen sociale dhe ndërhyrjen e hershme.
Paketa sjell edhe lehtësira në procedurat administrative. Për rastet kur përfitimi është i vlefshëm për disa vite, nuk do të jetë më e nevojshme paraqitja çdo vit e dokumentacionit mjekësor pranë komisioneve të vlerësimit.
Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me 14,657 ndihmës personalë të personave me aftësi të kufizuara. Periudha e shërbimit të tyre do të njihet si periudhë kontributive për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Për zbatimin e kësaj mase janë parashikuar 674 milionë lekë shtesë në Buxhetin e Shtetit, ndërsa hyrja në fuqi është caktuar më 1 shtator 2026.
Sipas qeverisë, këto ndryshime synojnë të forcojnë kujdesin në familje, të mbështesin ndihmësit personalë dhe të ulin nevojën për institucionalizimin e personave me aftësi të kufizuara.
Paketa përfshin gjithashtu ndryshime në aktet që rregullojnë pagesat për personat me aftësi të kufizuara, përfitimet nga statusi i të verbrit, procedurat e vlerësimit të aftësisë së kufizuar, si dhe masat mbrojtëse për gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë deri në moshën 18 vjeç.


Be First to Comment