Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat se ka ndikuar në forcimin e korrupsionit në institucionet shtetërore, duke mohuar çdo përfshirje të tij në raste të tilla.
Rama deklaroi se gjatë kohës që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës dhe në më shumë se 13 vite në postin e kryeministrit, nuk ka kryer veprën penale të korrupsionit.
Sipas tij, çdo investitor që ka përfituar të drejtën për të zhvilluar një pronë apo për të realizuar një investim përmes vendimeve të firmosura prej tij, e ka marrë atë në përputhje me ligjin.
“ Nuk ka një provë të vetme që dikush të ketë futur qoftë edhe një qindarkë në xhepin tim, në të ardhurat e familjes sime apo në këmbim të një firme të hedhur prej meje si kryebashkiak apo kryeministër”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se nuk pretendon të jetë i pagabueshëm, por mohoi kategorikisht se pushtetin e tij e ka përdorur për përfitime financiare apo pasuri.
“Jam për të lënë emrin, jo për të mbushur xhepin; jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri; jam për të transformuar Shqipërinë dhe jo për të deformuar vetveten”, deklaroi kryeministri.
