Skip to content

Rama nga Nju Jorku: “Vezët dhe balta nuk më ndalin, flamuri shqiptar do të valëvitet në majë të Europës”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas protestës së zhvilluar në Nju Jork, ku disa kritikë të tij u shfaqën me flamurin shqiptar.

Në reagimin e tij, Rama u është përgjigjur protestuesve me tone të ashpra, duke i akuzuar se “mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike”. Sipas kryeministrit, flamuri shqiptar është ngritur më lart se kurrë më parë “në sytë e botës”.

Rama ka komentuar edhe protestat dhe kritikat ndaj qeverisë, duke thënë se nuk do të ndalet nga “balta, vezët dhe jargët” në misionin që, sipas tij, synon ta çojë flamurin shqiptar “në majën e Europës së Bashkuar”.

Në vijim, kryeministri ka folur për zhvillimet në sistemin institucional dhe luftën kundër korrupsionit. Ai ka deklaruar se Shqipëria, për herë të parë në historinë e saj, ka një sistem institucional që tregon aftësi për “vetëpastrim”, duke e lidhur këtë zhvillim me qeverisjen e tij dhe Partinë Socialiste.

Rama është ndalur gjithashtu te akuzat për korrupsion, të cilat i ka cilësuar si “bomba çudibërëse” që, sipas tij, amplifikohen vazhdimisht në media dhe në diskursin politik.

Ai ka argumentuar se në një vend ku korrupsioni është i përhapur nuk mund të ketë luftë frontale dhe rezultate konkrete kundër tij. Sipas Ramës, kjo situatë ka ndryshuar gjatë qeverisjes së tij, pasi është vendosur në fokus parimi i barazisë së qytetarëve para ligjit.

Kryeministri ka theksuar se Shqipëria e sotme, sipas tij, nuk është më vendi që ka qenë më parë dhe se Bashkimi Evropian po e vlerëson gjithnjë e më shumë vendin për përpjekjet kundër korrupsionit.

Në fund të reagimit, Rama ka vijuar kritikat ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe mediatikë, duke i akuzuar se përdorin gjuhë të ashpër dhe akuza për korrupsion për të sulmuar qeverinë.

Ai ka përsëritur se protestat dhe akuzat nuk do ta ndalin në misionin e tij politik, ndërsa ka mbrojtur bilancin e qeverisë së tij në raport me luftën kundër korrupsionit dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Published inNews Shqip