Tiranës i shtohet një spital me standarde europiane, Rama: Investimi do të sjellë mundësi të reja për mjekët dhe pacientët
Në Tiranë është prezantuar projekti i Health Hub Hospital (HHH), një spital i ri që do të ndërtohet me standarde europiane nga Grupi San Donato, një prej grupeve më të mëdha spitalore në Europë.
Projekti synon ta kthejë Shqipërinë në një pikë referimi për shërbimet shëndetësore në Ballkanin Perëndimor, duke ofruar trajtime të avancuara mjekësore, si dhe mundësi për zhvillimin profesional dhe trajnimin e mjekëve e infermierëve të rinj.
Gjatë prezantimit të HHH, kryeministri Edi Rama u shpreh se investime të tilla janë pjesë e përpjekjeve për modernizimin e sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
“Është bërë një punë e madhe për të transformuar sistemin shëndetësor, për të krijuar ambiente dhe standarde të reja. Por mbetet ende shumë për të bërë për të garantuar cilësinë e shërbimit që meritojnë qytetarët shqiptarë”, tha Rama.
Ai theksoi gjithashtu se projekti do të krijojë hapësira të reja për profesionistët e shëndetësisë në vend.
“Sot kemi mundësinë që mjekë dhe infermierë të rinj shqiptarë të punojnë në një realitet me standarde më të afërta me ato europiane”, u shpreh kryeministri.
Sipas projektit, HHH pritet të forcojë rolin e Tiranës si një qendër rajonale shëndetësore, duke sjellë eksperiencë ndërkombëtare dhe modele moderne të menaxhimit spitalor në Shqipëri.

Be First to Comment