Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish protestat kundër qeverisë, duke pretenduar se protestuesit nuk kanë paraqitur kërkesa konkrete për dialog. Deklarata e tij vjen në një kohë kur qytetarët kanë protestuar prej më shumë se 135 ditësh, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Gjatë fjalës së tij, Rama tregoi një bisedë që, sipas tij, kishte zhvilluar me një studente. Ajo i kishte shprehur shqetësimin se protestuesit prej muajsh kërkojnë që kryeministri t’i dëgjojë.
Megjithatë, Rama pretendoi se nga protestat e zhvilluara pranë zyrës së tij ka dëgjuar kryesisht thirrjet “burg dhe litar”, duke mohuar se i janë drejtuar kërkesa konkrete për dialog.
Kryeministri foli gjithashtu për mesazhet që, sipas tij, merr nga persona të maskuar, të cilët i kanë bërë kërcënime ndaj tij dhe familjes së tij.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
“Dje flisja me një studente. Kanë pasur shumë kërkesa për librin e shtëpisë time në telefon. Sidomos nga ata trima me maska edhe në WhatsApp, si Roberto Cavalli dhe Dolce & Gabbana, që merren intensivisht me librin e shtëpisë time, që do më bëjnë këtë e atë.
Por në këtë lumë, një studente, në një gjuhë aspak normale, por jo si e tyrja, më shkruan dhe flasim edhe në telefon dhe më bën përshtypje që pak di nga historia jonë, për atë që ka ndodhur në këtë qytet.”
