**Rama mbledh drejtuesit politikë të PS-së, në fokus zhvillimet e fundit në vend**
Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të zhvillojë të mërkurën në orën 08:30 një takim me drejtuesit politikë të qarqeve në selinë e PS-së.
Mbledhja vjen në vijim të takimeve të fundit të zhvilluara me grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar, ndërsa pritet të fokusohet te ecuria e punës së mazhorancës dhe objektivat politikë për periudhën e ardhshme.
Burime pranë socialistëve bëjnë me dije se në tryezën e diskutimeve do të jenë edhe zhvillimet e fundit në vend, përfshirë klimën politike dhe reagimet qytetare që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik javët e fundit.
Takimi pritet të shërbejë edhe për koordinimin e strukturave politike në qarqe, si dhe për përcaktimin e prioriteteve që do të ndiqen në muajt në vijim. Drejtuesit politikë do të raportojnë mbi situatën në zonat që mbulojnë dhe mbi sfidat që kërkojnë vëmendje të veçantë nga qeveria dhe partia në pushtet.
Mbledhja zhvillohet në një periudhë kur debatet politike mbeten në qendër të vëmendjes, ndërsa pritet që Partia Socialiste të përcaktojë hapat e saj të ardhshëm përballë zhvillimeve në skenën politike shqiptare.


Be First to Comment