Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po hyn në një etapë të re të modernizimit të administratës publike, ku digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale do të luajnë një rol vendimtar në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe rritjen e transparencës.
Duke folur në Edicionin e Tretë të Javës së Administratës Publike, me temën “Shërbimi Publik për një Shqipëri Europiane”, Rama u ndal te transformimi i Kadastrës, duke theksuar se pas përfundimit të procesit të digjitalizimit, qeveria ka nisur fazën e ndërtimit të një sistemi të ri që synon t’u japë fund problematikave të trashëguara ndër vite.
“Digjitalizimi eliminoi burokracinë me letra. Dikur emigrantët i kalonin pushimet mes sporteleve për të marrë një dokument. Tashmë ka përfunduar puna për digjitalizimin e Kadastrës, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe brenda afateve të parashikuara. Faza e radhës është ndërtimi i sistemit që do ta bëjë Kadastrën të funksionojë si çdo shërbim tjetër modern. Ky makth do të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se Shqipëria po bashkëpunon me kompani të mëdha ndërkombëtare të teknologjisë për krijimin e modelit të parë të inteligjencës artificiale që do të përdoret në prokurimet publike.
“Sot po punojmë për të zhvilluar modelin e parë të inteligjencës artificiale për të gjithë procesin e prokurimeve publike, nga fillimi deri në fund. Projekti po realizohet në bashkëpunim me gjigantët e teknologjisë, do të testohet vitin e ardhshëm dhe synohet të vihet në funksion gjatë vitit 2028. Kur të jetë plotësisht operacional, do të minimizojë problematikat që lidhen me fondet publike dhe tenderat. Përmirësimet afatgjata vijnë vetëm përmes forcimit të sistemit”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Rama përmendi edhe transformimin e Maturës Shtetërore si një shembull të suksesit të reformave dhe përdorimit të teknologjisë, duke theksuar se problematikat që dikur shoqëronin procesin janë reduktuar ndjeshëm falë modernizimit të sistemit.

Be First to Comment