Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pritet të vijojë procesin e riorganizimit të strukturave drejtuese të institucionit, me ndryshime që do të prekin disa nga departamentet më të rëndësishme.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se është hapur gara për drejtimin e tre departamenteve kyçe: Policisë Kriminale, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Kufirit e Migracionit.
Sipas të njëjtave burime, lëvizjet nuk do të kufizohen vetëm në nivel qendror, por pritet të përfshijnë edhe disa drejtori vendore të policisë, në kuadër të ristrukturimit të institucionit.
Ndër emrat që përfliten për poste drejtuese është Ervin Hodaj, i cili konsiderohet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Departamentit të Policisë Kriminale. Aktualisht, ky departament drejtohet nga Neritan Nallbati, i cili e mban këtë detyrë prej rreth katër vitesh.
Ndryshime pritet të ketë edhe në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku Idajet Faskaj shihet si kandidati favorit për të zëvendësuar Pëllumb Seferin, i cili e drejton këtë strukturë që prej vitit 2020.
Burimet bëjnë të ditur se riformatimi mund të shtrihet edhe në nivel vendor, me ndryshime të mundshme në drejtimin e drejtorive të policisë në qarqet Berat, Elbasan, Korçë, Gjirokastër dhe Durrës.

Be First to Comment