Protestat para zyrës së kryeministrit Edi Rama kanë hyrë në javën e tretë, ndërsa kreu i qeverisë ka deklaruar për herë të parë hapur se nuk do të japë dorëheqjen. Sipas tij, largimi nga detyra do të ishte zgjidhja më e lehtë, por ai thotë se ka një kontratë me qytetarët që i dhanë Partisë Socialiste 83 mandate një vit më parë, me synimin për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian.
Rama ka akuzuar organizatorët e protestave se mbështeten nga faktorë të ndryshëm dhe nga ajo që ai e cilësoi si “babëzi dixhitale”, duke iu referuar interesit për klikime dhe vëmendje mediatike. Kryeministri iu drejtua edhe personave që, sipas tij, janë të pavendosur përballë vizionit të “Shqipërisë së Re”, duke i ftuar me ironi të paraqesin një alternativë të shkruar.
“Kam marrë shumë mesazhe dhe nuk e di për çfarë arsye mund të jetë krijuar përshtypja se më ka shkuar ndër mend të jap dorëheqjen”, u shpreh Rama.
Deklaratat ai i bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar, ku tha se një qeveri nuk duhet të dorëzojë drejtimin përballë zhurmës apo presionit.
“Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Sa më shumë zhurma rritet, aq më shumë një grup udhëheqës duhet të forcojë identitetin e tij dhe të bashkohet rreth qëllimit. Ne nuk jemi këtu për të fituar klikimet e ditës, por për ta çuar Shqipërinë në BE”, deklaroi kryeministri.

Be First to Comment