Skip to content

Ritvani, 8 vite më parë – kujtimet që rikthehen sot

8 vite nga masakra e Selenicës, rikthehet në kujtesë tragjedia që tronditi vendin

 

Sot, më 10 gusht 2026, shënohen tetë vite nga masakra e Selenicës, një prej ngjarjeve më të rënda kriminale që tronditi opinionin publik në Shqipëri.

 

Më 10 gusht 2018, Ritvan Zykaj vrau me armë zjarri tetë persona, pjesëtarë të farefisit të tij, në Selenicë të Vlorës. Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti familjar, i cili, sipas hetimeve, lidhej me akuza për vjedhjen e disa pulave të detit.

 

Viktimat e kësaj tragjedie ishin Demir Zykaj, Perri Zykaj, Azem Zykaj, Aferdita Zykaj, Besim Zykaj, Vasilika Zykaj, Sara Zykaj dhe Ledion Zyka.

 

Ngjarja ndodhi pas një dreke familjare. Sipas dinamikës së zbardhur nga hetimi, familjarët ishin mbledhur në banesën e Kujtim Zykajt, ndërsa gjatë orëve të pasdites Ritvan Zykaj ishte larguar nga vendi ku po zhvillohej dreka.

 

Pak më vonë, familjarët dëgjuan të shtëna armësh nga drejtimi i banesës së Sadik Zykajt. Pas disa minutash, një prej të afërmve mori një video të dërguar nga Ritvani, ku shfaqeshin persona të shtrirë në oborrin e banesës së Demir Zykajt.

 

Hetuesit gjetën në vendngjarje 14 gëzhoja të qitura nga një armë zjarri e kalibrit 7.62 mm, të cilat u sekuestruan si prova materiale.

 

Ritvan Zykaj u arrestua pas ngjarjes dhe gjatë marrjes në pyetje pranoi autorësinë e krimit, duke dhënë edhe shpjegime lidhur me mënyrën se si kishte ndodhur masakra.

 

Në vitin 2019, Gjykata e Vlorës e dënoi atë me burgim të përjetshëm, në përputhje edhe me kërkesën e prokurorisë.

 

Krimi, i cilësuar nga hetimi si i kryer për “motive të dobëta”, mbeti gjatë në kujtesën e shqiptarëve për shkak të brutalitetit të tij dhe faktit se tetë viktimat ishin pjesëtarë të së njëjtës familje.

 

Tetë vite më pas, emrat e Demir, Perri, Azem, Aferdita, Besim, Vasilika, Sara dhe Ledion Zykajt rikthehen në kujtesë, në përvjetorin e tragjedisë që i mori jetën tetë personave brenda pak minutash.

Published inNews Shqip