Skip to content

Rrebeshe lokale dhe vapë, parashikimi i motit për ditët e ardhshme

Vapa mbetet dominuese, por java e ardhshme sjell edhe rrebeshe lokale shiu

Meteorologu Hakil Osmani, në një lidhje live për Euronews Albania, ka bërë parashikimin e motit për fundjavën dhe ditët e para të javës së ardhshme, duke theksuar se temperaturat do të mbeten të larta, ndërsa në disa zona priten edhe reshje të izoluara shiu.

Sipas Osmanit, kjo e shtunë karakterizohet nga mot i qëndrueshëm dhe intervale të gjata me kthjellime në të gjithë vendin, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 36°C në qarqet e Elbasanit dhe Beratit, rreth 35°C në Tiranë, Shkodër dhe Gjirokastër, ndërsa në bregdet do të luhaten nga 31 deri në 34°C. Zonat më të freskëta do të jenë ato juglindore, ku temperaturat do të variojnë nga 28 në 30°C.

Të dielën pritet një ulje e lehtë e temperaturave, me vlerat maksimale që nuk do të kalojnë 34-35°C në rang vendi.

Për javën e ardhshme, Osmani tha se moti do të vijojë të jetë kryesisht i kthjellët gjatë orëve të paradites, ndërsa pasdite do të ketë shtim të vranësirave, kryesisht në zonat lindore.

Ditën e hënë, lagështira e lartë në atmosferë mund të favorizojë zhvillimin e rrebesheve të izoluara të shiut, më të theksuara në veri dhe verilindje, veçanërisht në zonat e Bajram Currit, Pukës dhe Kukësit.

Edhe e marta do të nisë me diell, por gjatë pasdites priten vranësira dhe reshje të pakta lokale, kryesisht në jug dhe juglindje të vendit, ndërsa bregdeti pritet të mbetet pa reshje.

Sa u përket temperaturave, deri të mërkurën maksimumet do të luhaten rreth 34-35°C në zonat e ulëta. Nga e enjtja dhe e premtja, meteorologët parashikojnë një valë të re të nxehti, me temperatura që do të ngjiten sërish mbi 36°C në shumë zona të vendit, ndërsa edhe temperaturat minimale gjatë natës do të rriten, duke e bërë motin më të nxehtë edhe në orët e para të mëngjesit.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *