Skip to content

“Sala” zbulon shumën e paguar për heqjen e statusit “Non Grata”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur në emisionin “Opinion” për vizitën e tij në SHBA, heqjen e kufizimit për udhëtimin drejt Amerikës dhe lobimin që, sipas tij, është bërë në këtë proces.

Berisha deklaroi se kompania që është angazhuar për lobimin ka qenë “Continental”, duke mohuar përfshirjen e Chris LaCivita. Sipas tij, “Continental” është një kompani legale dhe procesi i lobimit është zhvilluar në përputhje me rregullat amerikane.

“LaCivita nuk ka pasur lidhje”, deklaroi Berisha, duke shtuar se pagesa për shërbimin e lobimit ka qenë, sipas tij, ndër më të ulëtat të paguara nga një person.

Sa i përket vendimit për lejimin e hyrjes në SHBA, Berisha tha se vendimmarrja i përket Departamentit Amerikan të Shtetit dhe se vendimi është marrë në nivelin e Sekretarit të Shtetit. Në qershor, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte konfirmuar se ishte dhënë një përjashtim nga kufizimi i hyrjes, duke e lidhur atë me interesin kombëtar të SHBA-së.

Gjatë intervistës, Berisha foli edhe për një letër që tha se ia kishte dërguar Donald Trumpit në periudhën kur ai ishte në opozitë. Sipas Berishës, letra kishte qenë pjesë e komunikimeve që ai u kishte dërguar disa liderëve ndërkombëtarë dhe ai pretendoi se Trump e kishte lexuar.

“Unë i kam dërguar një letër informimi Trumpit, kur ishte ai në opozitë. Siç i kam dërguar të gjithë liderëve që njihja dhe kishin peshë”, u shpreh Berisha.

Ai foli gjithashtu për vizën amerikane, duke deklaruar se dokumenti i tij ka një vlefshmëri pesëvjeçare dhe se të njëjtën mundësi udhëtimi e kanë edhe familjarët e tij.

Deklaratat e Berishës vijnë pas rikthimit të tij në SHBA, pas vendimit të autoriteteve amerikane për t’i lejuar hyrjen në vend pas disa vitesh kufizimi.

Published inNews Shqip