Shqipëria u bë pjesë e diskutimeve në Kongresin amerikan gjatë një seance dëgjimore për politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Në fokus ishin krimi i organizuar, trafiku i narkotikëve, korrupsioni dhe integriteti i zgjedhjeve.
Kongresmeni republikan Joe Wilson ngriti shqetësime për situatën në Shqipëri dhe pyeti administratën amerikane mbi masat që po ndërmerren për të luftuar rrjetet kriminale dhe trafikun e narkotikëve.
Gjatë dëgjesës, Wilson deklaroi se, sipas raportimeve që ai kishte përmendur, korrupsioni, krimi i organizuar dhe integriteti zgjedhor në Shqipëri po ndikonin nga qeveria e Edi Ramës, të cilën ai e akuzoi se po nxiste krijimin e rrjeteve të trafikut të narkotikëve.
Kongresmeni amerikan iu drejtua Zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit, Daniel J. Lawton, duke e pyetur se çfarë po bën administrata amerikane përballë trafikut të narkotikëve dhe krimit të organizuar që lidhet me Shqipërinë.
Në përgjigje, Lawton tha se Shtetet e Bashkuara vijojnë bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për të luftuar organizatat kriminale transnacionale që veprojnë nga Shqipëria. Sipas tij, këto organizata kanë edhe lidhje ndërkombëtare me kartele kriminale në Hemisferën Perëndimore.
Zyrtari amerikan veçoi gjithashtu SPAK-un, duke deklaruar se struktura shqiptare është konsideruar “relativisht efektive” në trajtimin e disa prej çështjeve të ngritura gjatë seancës.
“Ne po punojmë me qeverinë shqiptare për të luftuar organizatat kriminale transnacionale që veprojnë atje”, u shpreh Lawton, duke theksuar se SHBA-ja synon të vijojë bashkëpunimin me Shqipërinë në këtë drejtim.
Në fund të përgjigjes së tij, Lawton u shpreh se për të ishte domethënëse të shihte zhvillimin e Shqipërisë pas periudhës së komunizmit dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Shqipëria të ketë sukses.
Diskutimi u zhvillua më 15 shtator 2026, në kuadër të seancës së Nënkomitetit për Evropën të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ku u trajtuan politika amerikane dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
