Ana Dyrmishi, 25-vjeçarja që u plagos rëndë nga zjarri në hotelin “Brooklyn” në Vlorë, ka ndërruar jetë në një spital në Turqi.
E reja nga Durrësi, e cila pësoi djegie në rreth 85% të sipërfaqes së trupit, u përcoll sot për në banesën e fundit nga familjarët dhe miqtë. Humbja e saj ka shkaktuar dhimbje të madhe te njerëzit e afërt, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit mes lotësh dhe pikëllimi.
Ana kishte shkuar në Vlorë së bashku me të fejuarin e saj, Arnaldon, për të kaluar disa ditë pas fejesës së tyre. Ajo që duhej të ishte një moment i veçantë dhe i lumtur për çiftin u kthye në një tragjedi mëngjesin e 16 gushtit, kur hoteli në zonën e Lungomares u përfshi nga zjarri.
Flakët dhe tymi i dendur krijuan panik te pushuesit, të cilët u përpoqën të largoheshin nga godina në çdo mënyrë të mundshme. Në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve, disa prej tyre u detyruan të hidhen edhe nga ballkonet e hotelit.
Pas ngjarjes, Ana u dërgua fillimisht për trajtim në Shqipëri. Për shkak të gjendjes së rëndë, ajo u transferua më pas në Turqi, me mbështetjen e qeverisë shqiptare, ku iu nënshtrua trajtimit të specializuar.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të mjekëve, 25-vjeçarja nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda dhe ndërroi jetë në spital.
Në të njëjtin incident mbeti i plagosur rëndë edhe i fejuari i saj, Arnaldoni. Ai pësoi djegie në rreth 35% të trupit dhe, sipas familjarëve, është transferuar në Itali për të vijuar trajtimin mjekësor.
