Skip to content

Shpërthim i fuqishëm në portën e një banese në Elbasan, shkaktohen dëme

Shpërthen bombola e gazit në Roskovec, plagoset 75-vjeçarja dhe dëmtohet rëndë banesa

 

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Roskovec, ku shpërthimi i një bombole gazi ka plagosur një grua rreth 75 vjeçe dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në banesën e saj.

 

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në banesën ku jetonte çifti i të moshuarve, Nexhip dhe Naile Sadiku. Mësohet se Naile Sadiku ka mbetur e plagosur si pasojë e shpërthimit.

 

E moshuara dyshohet se ishte duke ndezur sobën me gaz, kur bombola ka shpërthyer papritur. Si pasojë, ajo ka pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit.

 

Shpërthimi i fortë ka alarmuar fqinjët, të cilët kanë shkuar menjëherë pranë banesës dhe kanë njoftuar shërbimet e urgjencës. E plagosura është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.

 

Nga shpërthimi janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale. Një pjesë e banesës, veçanërisht njëri prej kateve, është dëmtuar rëndë dhe thuajse është shkatërruar plotësisht.

 

Të afërmit e çiftit kanë bërë me dije se dy të moshuarit jetonin të vetëm, ndërsa djemtë e tyre ndodhen jashtë vendit, në emigracion.

 

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e shpërthimit.

 

Hetimet vijojnë, ndërsa priten informacione të tjera në lidhje me gjendjen shëndetësore të 75-vjeçares dhe dëmet e shkaktuara në banesë.

Published inNews Shqip