Ivan Balliu ka pësuar një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë ndeshjes së fundit të Rayo Vallecanos ndaj Osasunës, në transfertë.
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se mbrojtësi kuqezi i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, përfshirë rezonancën magnetike, e cila ka konfirmuar dëmtimin në kyçin e këmbës.
Pas dëmtimit, Balliu ka nisur programin e rehabilitimit pranë klubit spanjoll. Ndërkohë, situata e tij po ndiqet nga afër edhe nga stafi mjekësor i Kombëtares shqiptare.
Sipas FSHF-së, mjekët kuqezi janë në komunikim të vazhdueshëm me ekipin mjekësor të Rayo Vallecanos, me qëllim monitorimin e gjendjes së lojtarit dhe ecurisë së rikuperimit.
Në varësi të përmirësimit të gjendjes së tij gjatë ditëve të ardhshme, Balliu mund t’i bashkohet grupit të Kombëtares për ndeshjet e radhës. Megjithatë, vendimi për rikthimin e tij do të varet nga ecuria e rehabilitimit dhe gjendja e kyçit të këmbës.
Për momentin, prania e mbrojtësit në dispozicion të trajnerit mbetet në pritje të zhvillimeve të ditëve në vijim.
