Një tragjedi e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Konicën në Greqi, ku një zjarr i fuqishëm në një kontejner ka shkaktuar vdekjen e katër familjarëve.
Zjarri shpërtheu pak para orës 07:00. Kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje dhe nisën operacionin për shuarjen e flakëve, brenda kontejnerit gjetën katër persona pa shenja jete – një burrë dhe tre gra.
Sipas mediave lokale dhe Agjencisë së Lajmeve të Athinës, viktimat ishin të moshës 69, 75, 83 dhe 88 vjeç. Katër familjarët jetonin prej rreth 30 vitesh në këtë kontejner, i cili u ishte dhënë pas tërmetit të madh që goditi Konicën. Banesa e përkohshme ishte vendosur në tokën e tyre, pranë urës së Konicës.
Fqinjët kanë treguar se familjarët jetonin në kushte të vështira, ndërsa kontejneri nuk kishte energji elektrike. Sipas tyre, ata përballeshin gjithashtu herë pas here me probleme shëndetësore.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të zjarrit që solli këtë tragjedi.
