Një akt i rrallë guximi dhe humanizmi nga një shqiptar 29-vjeçar ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në qytetin italian Gambassi Terme.
Bëhet fjalë për Jens Ballaqenin, i cili ndodhej në qytet për të kërkuar një banesë, kur papritur u përball me një situatë të rrezikshme. Ai vuri re një të ri që rrezikonte të rrëzohej nga kati i tretë i një ndërtese.
Duke kuptuar seriozitetin e situatës, Ballaqeni reagoi menjëherë dhe pa menduar për rrezikun që mund t’i kanosej vetë, arriti ta kapte të riun nga këmbët. Ndërhyrja e tij në çastet vendimtare bëri të mundur shmangien e një tragjedie të mundshme.
Fatmirësisht, i riu arriti të shpëtonte dhe, sipas informacioneve të publikuara, pësoi vetëm lëndime të lehta.
Veprimi i shqiptarit nuk kaloi pa u vënë re nga autoritetet lokale. Kryebashkiaku i Gambassi Terme e falënderoi publikisht për guximin dhe ndërhyrjen e tij, ndërsa është bërë e ditur se po shqyrtohet mundësia që Ballaqenit t’i jepet titulli i qytetarit të nderit.
Historia e Jens Ballaqenit është një dëshmi e guximit dhe solidaritetit njerëzor, por edhe një tjetër shembull i një shqiptari që me veprimin e tij bëri diferencën në një moment vendimtar.
