“Aliu i pathyeshëm” – shqiptari që refuzoi mbi 1 milion euro për kullat e tij në Veri të Mitrovicës
“Aliu i pathyeshëm”, “Ali Kadriu refuzon paratë e Qeverisë, kërkon siguri” dhe “Spektakël në oborrin e Ali Kadriut” – këta ishin disa nga titujt e mediave kosovare në vitin 2008, kur Ali Kadriu u përball me forcat speciale të UNMIK-ut.
Ai u arrestua dhe, sipas rrëfimit të tij, u maltretua pasi nuk u lejua të hynte në shtëpinë e tij. Megjithatë, Kadriu nuk u tërhoq. Ai vazhdoi rezistencën dhe sot, vite më vonë, qëndron ende në pronën e tij në lagjen “Kroi i Vitakut”, në Veri të Mitrovicës.
Me kalimin e viteve, Aliu ka ndërtuar dy kulla me vlerë të konsiderueshme në këtë zonë. Pavarësisht se, sipas tij, i janë ofruar mbi 1 milion euro për t’i shitur, ai ka refuzuar dhe ka vendosur të qëndrojë në pronën e tij.
Ai thotë se situata në Veri mbetet e tensionuar, por kjo nuk e ka ndryshuar vendimin e tij.
“Situata e fundit është pak e tensionuar. Mirëpo siguria është deri diku, nuk është krejt, por deri diku po. Sido që të bëhet, ne nuk dalim prej këtu. Nuk kemi ku të shkojmë. Në tokën teme jam, në vendin tem jam. Njëjtë e kam, nuk kam me dalë prej këtu”, deklaroi ai.
Kadriu është i prerë edhe kur pyetet se çfarë do të bënte nëse do t’i kërkohej të largohej nga Veriu i Mitrovicës.
“Për mu nuk bën ajo thirrje. Unë nuk ni bash mirë, por atëherë atë thirrje nuk e ni hiç. Nuk dal prej ktuhit”, u shpreh ai.
Sipas tij, për më shumë se dy dekada pas luftës, qeveritë e Kosovës nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbështetur shqiptarët që kanë vazhduar të jetojnë në Veri të Mitrovicës.
“E di që njerëzit kanë dhënë jetën për këtë vend e ne të gjallët mos me kon në gjendje që 23 qeveritë me i kthy banorët. Kjo është sikur ajo kënga popullore ‘Ka po shkon moj zënë’. Qysh po mundet Beogradi me investu? As nuk është pronë e tij, po mundet me i maru banesat e me ble prej shqiptarëve”, tha ai.
Kadriu kritikon edhe ata banorë shqiptarë që kanë vendosur t’i shesin pronat e tyre në Veri. Sipas tij, disa prej tyre kanë zgjedhur komoditetin dhe sigurinë personale në vend të qëndrimit në pronat e tyre.
“I fajësoj ata se kanë mujt me prit. Disa që i kanë shit i kanë pas kushtet e mira, por kanë pas rahatinë. Po rahati ka kur të gjinden kufomat e të zhdukurve. Unë nuk rahatona kurrë, kur e di që ka familjarë që presin eshtrat e djemve të tyre”, deklaroi Kadriu.
Ai thotë se ndihet i lënë pas dore nga institucionet e Kosovës dhe se mungesa e sigurisë dhe e mundësive për punësim po ndikon te shqiptarët që jetojnë në këtë pjesë të Mitrovicës.
“Po i demoralizon njerëzit, sepse s’po munden me hi në punë. Siguri nuk ka. Po jau imponon me dalë, me lëshu vendin”, tha ai për Insajderin.
