Ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Pushkolli, është arrestuar në pikën kufitare Bllacë–Hani i Elezit, në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas deklaratës së Pushkollit, arrestimi është bërë në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet e Serbisë. Ai ka bërë të ditur se ndalimi i tij lidhet me të kaluarën e tij si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Dëshiroj t’ju njoftoj se jam arrestuar në pikën kufitare Bllacë–Hani i Elezit, në territorin e Maqedonisë së Veriut, bazuar në një urdhër të lëshuar nga autoritetet serbe”, ka deklaruar Pushkolli.
Pas arrestimit, ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të reagojnë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për trajtimin e rastit, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të tij.
