Sondazhi i Eduard Zaloshnjës: Rreth 1 në 3 shqiptarë të gatshëm të votojnë për një parti të re
Një sondazh i realizuar nga Eduard Zaloshnja me 1326 banorë të rritur në Shqipëri tregon se rreth një e treta e qytetarëve janë të gatshëm të votojnë për një parti të re politike, nëse ajo krijohet, ndërsa një në dhjetë nuk do të votonte as për subjektet ekzistuese dhe as për një parti të re.
Sondazhi elektronik është zhvilluar gjatë 24 orëve të fundit, përmes një pyetësori anonim të shpërndarë me SMS në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e vendit. Sipas autorit, kampioni është kalibruar statistikisht për të përfaqësuar 1.9 milionë banorët e rritur të Shqipërisë, me marzh gabimi statistikor +/- 2.7%.
Të dhënat tregojnë se për një subjekt të ri politik mund të ketë mbështetje nga kategori të ndryshme votuesish. Rreth dy në dhjetë ish-votues të Partisë Socialiste, tre në dhjetë ish-votues të PD-ASHM-së dhe tre në dhjetë ish-votues të partive të vogla shprehen të gatshëm të votojnë për një parti të re.
Mbështetja më e lartë vjen nga qytetarët që nuk votuan në zgjedhjet e vitit të kaluar, ku pothuajse gjashtë në dhjetë prej tyre deklarojnë se do të mbështesnin një subjekt të ri politik.
Megjithatë, Zaloshnja thekson se gatishmëria për të votuar për një parti të re nuk përkthehet domosdoshmërisht në mbështetje konkrete, pasi qytetarët ende nuk kanë informacion të qartë për identitetin, programin apo drejtuesit e mundshëm të këtij subjekti.
Në analizën e tij, ai ndalet edhe te protestat e studentëve dhe mundësia e krijimit të një alternative të re politike, duke vënë në dukje mungesën e organizimit dhe të një strukture të qëndrueshme që mund të shndërrojë pakënaqësinë qytetare në përfaqësim elektoral.
Sipas tij, mbetet për t’u parë nëse do të shfaqet një grup politik që do të arrijë të bindë këtë pjesë të konsiderueshme të qytetarëve për ta mbështetur në zgjedhje.