Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me dy vite burg për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili akuzohet për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që dënimi me burg të zëvendësohet me katër vite shërbim prove.
Nëse kërkesa e prokurorisë miratohet nga gjykata, Beci nuk do të vuajë dënimin në një institucion penitenciar, por do të jetë nën mbikëqyrjen e shërbimit të provës për katër vjet.
Tashmë çështja i takon Gjykatës së Posaçme, e cila do të shqyrtojë kërkesën e SPAK dhe do të marrë vendimin përfundimtar mbi përgjegjësinë penale të kryebashkiakut të Shkodrës.
Duhet theksuar se Benet Beci gëzon prezumimin e pafajësisë deri në marrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë.

