Skip to content

Të shtëna me armë tronditin zonën, raportohet për një viktimë

Të shtëna me armë në Zvicër, një viktimë dhe pesë të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës në zonën e hipodromit të Aarau-t, në Zvicër, ku janë dëgjuar disa të shtëna me armë.

Ngjarja është raportuar rreth orës 02:30. Sipas dëshmive nga zona, pas të shtënave janë dëgjuar sirena dhe në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, ekipe mjekësore dhe zjarrfikës.

Policia e Aargaut bëri të ditur përmes rrjetit social X se nga incidenti ka humbur jetën një person, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Disa prej të plagosurve raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë.

Autoritetet kanë nisur kërkimet për personin përgjegjës për ngjarjen, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin e të shtënave.

Për arsye sigurie, zona përreth hipodromit është rrethuar nga policia në një perimetër të gjerë. Qytetarëve u është kërkuar të shmangin zonën dhe të mos afrohen pranë vendit të ngjarjes.

Operacioni policor vijonte edhe rreth orës 07:00 të mëngjesit. Si pasojë e ndërhyrjes së autoriteteve, pishina publike e Aarau-t është mbyllur përkohësisht, deri në një njoftim të mëtejshëm.

Published inNews Shqip