Vala e të nxehtit afrikan arrin kulmin, temperaturat deri në 41°C këtë fundjavë
Shqipëria pritet të përjetojë fundjavën më të nxehtë të kësaj vere, pasi vala e të nxehtit afrikan ka përfshirë të gjithë territorin e vendit. Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat do të ngjiten deri në 41°C në disa qarqe, ndërsa moti do të mbetet kryesisht i kthjellët.
Për ditën e sotme, temperaturat maksimale pritet të arrijnë në 40°C në zonat e Shkodrës, ndërsa në pjesën më të madhe të ultësirës perëndimore do të luhaten nga 38 deri në 39°C. Ndër qytetet më të nxehta parashikohen Shkodra, Tirana, Elbasani, Berati dhe Gjirokastra.
Sipas sinoptikanëve, dita më e nxehtë do të jetë e diela, kur termometri mund të shënojë deri në 41°C në qarqet e Shkodrës dhe Elbasanit. Në zona si Ura Vajgurore, Cërriku, Belshi dhe Lazarati temperaturat pritet të kalojnë lehtësisht kufirin e 40 gradëve.
Gjatë së shtunës, të dielës dhe të hënës moti do të jetë i kthjellët dhe pa reshje në pjesën më të madhe të vendit. Vetëm në orët e pasdites së së premtes priten reshje të izoluara në zonat lindore, ndërsa lagështira e lartë do ta bëjë nxehtësinë të ndihet edhe më intensive.
Një freskim i lehtë i motit pritet të martën, kur temperaturat do të ulen me rreth 3 deri në 4 gradë dhe në shumë zona do të rikthehen reshjet e shiut. Bregdeti mbetet zona me mundësinë më të vogël për reshje.
Meteorologët u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në diell gjatë intervalit 11:00–17:30, pasi temperaturat e perceptuara në zonat urbane mund të arrijnë deri në 46°C. Kujdes i veçantë rekomandohet për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kardiovaskulare.
Për ata që planifikojnë të udhëtojnë gjatë fundjavës, zonat malore mbeten alternativa më e freskët, ku temperaturat pritet të jenë rreth 34°C. Sipas parashikimeve, kjo valë e të nxehtit do të zgjasë rreth pesë ditë, përpara se temperaturat të nisin gradualisht të ulen.

Be First to Comment