Meteorologu Mendim Rugova ka paralajmëruar se e premtja mund të shënojë temperaturat më të larta të këtij viti në Kosovë, sipas parashikimeve më të fundit.
Vëmendja kryesore është te Prishtina dhe zona e Dukagjinit, ku priten temperatura shumë të larta. Në Prishtinë, termometri mund të ngjitet deri në 36°C, ndërsa në zonën e Dukagjinit, sidomos në pjesët e ulëta të Klinës, temperaturat mund të arrijnë në 39°C, duke iu afruar edhe 40 gradëve.
“Sot mund të jetë dita më e nxehtë e vitit sipas parashikimeve deri tani”, u shpreh Rugova në Klan Kosova.
Megjithatë, meteorologu theksoi se temperaturat e tilla, edhe pse të larta, nuk konsiderohen të pazakonta për muajin gusht.
