Skip to content

Tension në kampin socialist, Rama ndërmerr sot një lëvizje urgjente

Pas përfundimit të pushimeve verore, Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për sezonin e ri politik. Mbledhjet e strukturave drejtuese kanë vijuar prej 23 gushtit në Pogradec dhe tashmë janë zhvendosur në Tiranë.

Pas takimit të zhvilluar një ditë më parë me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, kryeministri Edi Rama ka thirrur sot në takim të deleguarit politikë për Tiranën dhe deputetët e qarqeve. Në fokus të diskutimeve është zbatimi në terren i dy dokumenteve të reja të PS-së, “Besa” dhe “Prania Besnike”.

“Prania Besnike” synon forcimin e kontaktit të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve politikë me qytetarët, ndërsa “Besa” vendos në qendër dëgjimin dhe evidentimin e problematikave që shqetësojnë komunitetet.

Një tjetër çështje e rëndësishme në axhendë pritet të jetë përgatitja për zgjedhjet vendore të vitit 2027, si dhe organizimi i punës së strukturave socialiste në kryeqytet.

Në këtë kuadër, drejtuesve politikë u është kërkuar të intensifikojnë daljet në terren dhe komunikimin me qytetarët në zonat që mbulojnë. Së bashku me strukturat e PS-së, deputetët dhe kryetarët e bashkive, ata do të hartojnë një axhendë takimesh për të identifikuar problematikat e qytetarëve, qofshin ato individuale apo çështje që prekin komunitetin.

Në fokus do të jenë shqetësime të ndryshme, nga infrastruktura dhe rrugët, te menaxhimi i mbetjeve dhe investimet publike. Problematikat e evidentuara do t’u përcillen ministrive përkatëse, ndërsa ndjekja e tyre deri në zgjidhje do t’u besohet zëvendësministrave përgjegjës.

Published inNews Shqip