Tërmet i fortë në jug të Italisë, panik te banorët por pa dëme të raportuara
Një tërmet me magnitudë 6.2 ballë të shkallës Rihter ka tronditur brigjet jugore të Italisë në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar frikë dhe panik te mijëra qytetarë.
Lëkundjet sizmike u regjistruan rreth orës 00:12, ndërsa shumica e banorëve ndodheshin në gjumë. Fatmirësisht, pavarësisht magnitudës së konsiderueshme, deri tani nuk raportohet për viktima apo dëme materiale.
Sipas autoriteteve sizmologjike italiane dhe amerikane, epiqendra e tërmetit ishte në Detin Tirren, pranë brigjeve të Kalabrisë. Ekspertët theksojnë se thellësia e madhe e tërmetit, rreth 250 kilometra nën sipërfaqen e tokës, ka ndihmuar në zbutjen e efekteve shkatërruese në sipërfaqe.
Lëkundjet u ndien në një zonë të gjerë të Italisë Jugore, përfshirë Kalabrinë, Kampanian dhe Siçilinë. Raportime për dridhje kanë ardhur nga qytete si Napoli, Palermo, Katania dhe Messina, ku shumë banorë dolën jashtë banesave nga frika.
Autoritetet e Mbrojtjes Civile aktivizuan menjëherë procedurat e monitorimit dhe kontaktuan bashkitë më pranë epiqendrës. Deri në këto momente nuk është raportuar për persona të lënduar apo shembje ndërtesash.
Sizmologët shpjegojnë se zona ku ndodhi tërmeti është e njohur për aktivitet të lartë sizmik, pasi aty ndërveprojnë Pllaka Tektonike Afrikane dhe ajo Euroaziatike, duke krijuar tensione të forta në thellësi të tokës.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të ndjekin vetëm informacionet zyrtare.