Rama reagon për protestat në Zvërnec: Dhuna ndaj protestuesit ishte e papranueshme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një mbledhjeje me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, komentoi situatën e krijuar në Zvërnec, ku banorë të zonës dhe aktivistë të shoqërisë civile po kundërshtojnë projektin për ndërtimin e një resorti turistik.
Rama u ndal veçanërisht te incidenti ku një protestues u tërhoq zvarrë nga rojet private të sigurisë, duke e cilësuar ngjarjen të papranueshme dhe duke kritikuar reagimin e policisë.
Sipas tij, sjellja e rojeve të sigurisë ishte e dhunshme dhe nuk duhej të tolerohej, ndërsa policia kishte detyrimin të ndërhynte për të mbrojtur qytetarin.
“E kuptoj plotësisht zemërimin e qytetarëve që panë atë skenë. Edhe unë do të isha i revoltuar nëse do të shihja një protestues të trajtohej në atë mënyrë. Dhuna nuk mund të justifikohet dhe personat përgjegjës duhej të përballeshin menjëherë me ligjin”, deklaroi Rama.
Kryeministri hodhi poshtë edhe pretendimet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale lidhur me projektin në Zvërnec, duke i cilësuar ato si spekulime dhe dezinformata. Ai mohoi zërat se toka po i jepet Izraelit apo se projekti lidhet me vendosjen e palestinezëve në zonë, si dhe pretendimet për përfshirjen e investitorëve rusë.
Debati për projektin në Zvërnec vijon të mbetet i ndezur, ndërsa banorët dhe aktivistët kërkojnë më shumë transparencë mbi zhvillimin e planifikuar në këtë zonë bregdetare.