Skip to content

Tragjedi e rëndë! 39-vjeçari dyshohet se vrau gruan dhe vëllain e saj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e kësaj të enjteje në Cagliari të Italisë, ku një 39-vjeçar dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten dhe më pas vëllain e tij.

Gruaja, 47 vjeçe, ka mbetur e plagosur rëndë pasi është qëlluar në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë, vëllai i autorit të dyshuar, 42 vjeç, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Ngjarja e parë është raportuar rreth orës 05:45, kur shërbimi i urgjencës 118 ka njoftuar Karabinierët për një grua të plagosur me armë zjarri në një banesë në zonën e Quartu Sant’Elena, pranë Cagliarit.

Sipas informacioneve paraprake, 47-vjeçarja ishte qëlluar në kokë. Pas sulmit, autori i dyshuar ishte larguar nga vendi i ngjarjes me automjet. Gruaja është transportuar me urgjencë në Spitalin Brotzu, ku po merr trajtim mjekësor.

Vetëm rreth 25 minuta më vonë, autoritetet morën një tjetër njoftim për një person të plagosur me armë zjarri në zonën e Margine Rosso. Në këtë rast, bëhej fjalë për një 42-vjeçar, i cili u gjet pa shenja jete dhe u shpall i vdekur në vendngjarje.

Pak minuta më pas, rreth orës 06:15, 39-vjeçari u paraqit vetë në kazermën e Karabinierëve në Cagliari. Ai dyshohet se u ka deklaruar efektivëve se kishte qëlluar bashkëshorten dhe vëllain e tij.

Sipas hetimeve të para, ngjarja mund të ketë ardhur pas konflikteve të forta familjare. 39-vjeçari ishte pronar i ligjshëm i armëve të zjarrit dhe tashmë është arrestuar, duke iu dorëzuar autoriteteve gjyqësore.

Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të rindërtuar me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivet e plota që çuan në këtë tragjedi familjare. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po mbledhin prova dhe dëshmi për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.

Published inNews Shqip