TRAGJEDI NË CËRRIK/ 31-vjeçari humb jetën me motor, familja e përcjell sot për në banesën e fundit
Një aksident tragjik i mori jetën 31-vjeçarit Marius Kabilo gjatë orëve të vona të mbrëmjes së 4 shtatorit, në aksin rrugor Cërrik-Elbasan.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 23:30, M. K. dyshohet se humbi kontrollin mbi drejtimin e motomjetit me të cilin po udhëtonte. Për pasojë, motori u përplas me barrierën anësore të rrugës dhe 31-vjeçari humbi jetën në vendngjarje.
Grupi hetimor dyshon se shpejtësia mbi normat e lejuara mund të ketë qenë një nga shkaqet e aksidentit, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Sot, familjarët e Mariusit po përballen me dhimbjen e madhe të humbjes së tij. Babai Flamuri, nëna Lindita dhe motra Dorisa do ta përcjellin të riun për në banesën e fundit.
Ceremonia mortore zhvillohet në orën 11:00, në rrugën Pazhok-Gostimë, në Cërrik.
Familjarët kanë treguar se Marius Kabilo kishte një pasion të veçantë për motorët, një dashuri që e shoqëronte prej kohësh.
Humbja e tij ka lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, të afërmit dhe të gjithë ata që e njihnin.
