Tragjedi në aksin Prrenjas–Librazhd, humb jetën 42-vjeçari pasi një gur goditi automjetin e tij
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në aksin rrugor Prrenjas–Librazhd, pranë fshatit Hotolisht, ku një 42-vjeçar humbi jetën pasi automjeti që drejtonte u godit nga një gur i madh i shkëputur nga shpati i malit.
Viktima është identifikuar si Arjan Hoxha, 42 vjeç, banues në fshatin Gjergjan të Elbasanit. Sipas të dhënave paraprake, ai po udhëtonte me një automjet tip “Benz” kur një masiv shkëmbor u rrëzua mbi mjetin e tij, duke i shkaktuar dëmtime fatale.
Përplasja rezultoi tragjike dhe 42-vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje. Ekipet e emergjencës dhe shërbimet e policisë mbërritën menjëherë, por nuk mundën të bënin asgjë për t’i shpëtuar jetën.
Në vendngjarje ndodhen efektivët e Policisë së Shtetit dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Dyshohet se rrëshqitja e gurit është shkaktuar nga moti i paqëndrueshëm që ka përfshirë ditët e fundit qarkun e Elbasanit. Reshjet intensive të shiut dhe breshëri kanë shkaktuar rrëshqitje gurësh dhe materialesh inerte në disa segmente rrugore, duke rritur ndjeshëm rrezikun për drejtuesit e mjeteve.
Përveç problemeve në qarkullim, kushtet e këqija atmosferike kanë shkaktuar edhe dëme në sektorin e bujqësisë në disa zona të qarkut.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes në akset malore, sidomos pas reshjeve të dendura, kur rreziku i rrëshqitjeve të gurëve dhe dherave është më i lartë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje tragjike vijojnë.

Be First to Comment