Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në plazhin e Durrësit, ku një grua rreth 78 vjeçe është gjetur pa shenja jete.
Identiteti i të moshuarës ende nuk është bërë i ditur, ndërsa mbeten të paqarta edhe rrethanat dhe shkaku i vdekjes. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur verifikimet për zbardhjen e rastit.
Trupi i pajetë është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, ku pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Kjo e fundit do të ndihmojë në përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se e moshuara mund të ketë ndërruar jetë për shkaqe natyrale, megjithatë autoritetet nuk kanë dalë ende në një përfundim zyrtar. Hetimet dhe ekspertiza mjekoligjore pritet të sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes.
