Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të premten pranë Bujanocit, ku si pasojë kanë humbur jetën një fëmijë 2-vjeçar dhe nëna e tij, ndërsa disa persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00, në rrugën magjistrale, e njohur si “autostrada e vjetër”, në drejtim të Vranjës, raporton Presheva.com.
Sipas Shërbimit të Urgjencës së Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc, përveç dy viktimave, në aksident janë lënduar edhe disa persona. Të lënduarit janë transportuar nga ekipet e Urgjencës në Qendrën Shëndetësore në Vranjë, ku kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur pas përplasjes së dy automjeteve. Ende nuk dihen rrethanat e plota dhe shkaku i përplasjes.
Pas aksidentit, kjo pjesë e rrugës është mbyllur për qarkullim, ndërsa policia ka ndërmarrë masa për devijimin e trafikut. Automjetet që lëvizin nga Vranja në drejtim të Bujanocit po devijohen përmes Banjës së Bujanocit, ndërsa qarkullimi nga drejtimi i Bujanocit po zhvillohet përmes rrugës së vjetër.
Në vendin e ngjarjes ndodhen policia dhe ekipet kompetente, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
