Dorëheqje nga LDK-ja, asambleistja e Obiliqit vazhdon mandatin si e pavarur
Vlora Mjekiqi-Kabashi, asambleiste e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin Komunal të Obiliqit, ka njoftuar dorëheqjen e saj të parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet që ka mbajtur në kuadër të partisë.
Ajo ka bërë të ditur se mandatin e saj në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdojë si asambleiste e pavarur.
Mjekiqi-Kabashi ka treguar se gjatë angazhimit të saj në LDK ka mbajtur edhe pozitën e kryetares së Forumit të Gruas së LDK-së në Obiliq, si dhe ka qenë delegate në Kuvendin Zgjedhor të partisë.
Sipas saj, vendimi për t’u larguar nga LDK-ja lidhet me qëndrimin që ajo ka ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe mospajtimin me qëndrimet që, sipas saj, ka mbajtur partia.
Ajo ka theksuar se e konsideron luftën e UÇK-së si luftë për liri dhe se, në vlerësimin e saj, liria qëndron mbi çdo përkatësi politike.
“E vetëdijshme se Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, e mbështetur edhe nga SHBA-ja dhe NATO-ja, dhe e bindur se liria është më shumë se çdo përkatësi partiake”, ka deklaruar ajo.
Mjekiqi-Kabashi ka bërë të qartë se pas dorëheqjes nga strukturat e LDK-së do të vijojë aktivitetin e saj politik si asambleiste e pavarur në Kuvendin Komunal të Obiliqit.
