Tregjet financiare globale vijojnë të përballen me pasiguri të lartë, ndërsa çmimet e naftës shënuan një tjetër rritje të martën. Zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe pasiguria lidhur me negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë shtuar presionin mbi tregjet e energjisë.
Nafta Brent u rrit me rreth 2 për qind, duke kaluar mbi 107 dollarë për fuçi, ndërsa WTI amerikane u rrit me rreth 1.8 për qind, duke kapërcyer nivelin e 94 dollarëve për fuçi.
Çmimet e naftës mbeten ndjeshëm më të larta krahasuar me fundin e shkurtit, kur Brent tregtohej rreth 72 dollarë për fuçi, përpara përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Negociatat për Lindjen e Mesme mbajnë tregjet në tension
Rritja e çmimeve vjen në një moment kur shpresat për një zgjidhje të shpejtë të krizës në Lindjen e Mesme janë zbehur. Presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë gjatë fundjavës propozimin e Iranit për një armëpushim shtatëditor.
Ndërkohë, ndërmjetësit po përpiqen të gjejnë një marrëveshje që do të mundësonte ndalimin e luftimeve dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve kryesore për transportin ndërkombëtar të naftës.
Teherani ka propozuar rihapjen e ngushticës në këmbim të heqjes së bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe lehtësimit të sanksioneve. Uashingtoni, nga ana tjetër, kërkon që një marrëveshje të përfshijë edhe çështjen e programit bërthamor të Iranit.
Mosmarrëveshjet mes palëve mbeten të forta, veçanërisht për afatet e zbatimit të marrëveshjes dhe për veprimin e parë që duhet të ndërmarrë secila palë.
Nafta shton shqetësimet për inflacionin
Rritja e kostove të energjisë po shton shqetësimet për inflacionin në ekonomitë kryesore. Çmimet më të larta të karburanteve ndikojnë në transport, prodhim dhe në koston e mallrave dhe shërbimeve për konsumatorët.
Në këto kushte, investitorët po vlerësojnë mundësinë që bankat qendrore të mbajnë një politikë monetare më të shtrënguar.
Në SHBA, yield-i i bonove 10-vjeçare të Thesarit kaloi të hënën mbi 5.27 për qind, ndërsa gjatë shtatorit është rritur me afro gjysmë pikë përqindjeje. Edhe yield-i i bonove dyvjeçare amerikane është rritur ndjeshëm dhe është afruar pranë nivelit 5 për qind.
Presioni është reflektuar edhe në Evropë, ku yield-i i bonove 10-vjeçare të Gjermanisë arriti në 3.62 për qind, niveli më i lartë që nga qershori i vitit 2009.
Rritja e yield-eve nënkupton kosto më të larta huamarrjeje për individët, bizneset dhe qeveritë, duke ndikuar në kredi, financimin e kompanive dhe borxhin publik.
Tregjet e aksioneve në rënie
Pasiguria u reflektua edhe në bursat ndërkombëtare. Në Azi, Nikkei 225 i Japonisë ra me 1.3 për qind, Kospi i Koresë së Jugut me 0.9 për qind, ndërsa Hang Seng i Hong Kongut humbi 0.6 për qind.
Edhe tre indekset kryesore të Wall Street e mbyllën seancën e së hënës në territor negativ.
Ndërkohë, Banka e Rezervës së Australisë rriti normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në 4.6 për qind. Sipas bankës, rritja e kostove të karburanteve po kontribuon në presionet inflacioniste.
Dollari dhe ari
Në tregun valutor, dollari amerikan u forcua lehtë ndaj jenit dhe u tregtua në 157.42 jen për dollar. Euroja ndërkohë ra në 1.1362 dollarë.
Ari qëndroi pranë nivelit 4,160 dollarë për ons, pas rënies së fortë të regjistruar një ditë më parë. Normat më të larta të interesit mund të ulin interesin e investitorëve për arin, pasi metali i çmuar nuk gjeneron të ardhura nga interesi.
Tashmë vëmendja e tregjeve është përqendruar te të dhënat e ardhshme ekonomike nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht ato për inflacionin dhe tregun e punës. Të dhënat pritet të ndikojnë në pritshmëritë për vendimet e ardhshme të Rezervës Federale.
