Eric Wendt konfirmohet ambasador i SHBA-së në Shqipëri
Gjenerallejtënantit në pension, Eric Wendt, është konfirmuar në detyrën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada Amerikane përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku Wendt është uruar për detyrën e re diplomatike.
Sipas ambasadës, prioritetet kryesore të mandatit të tij në Shqipëri pritet të jenë forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mbështetja për një NATO më të fortë dhe promovimi i marrëveshjeve të drejta për bizneset amerikane.
Ambasada thekson se këto prioritete janë në përputhje me vizionin e Presidentit Donald Trump për sigurinë e përbashkët dhe bashkëpunimin me aleatët.
“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri!”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Në vijim, ambasada shprehet se e pret me kënaqësi Wendt në Tiranë, ku ai pritet të punojë në mbështetje të vizionit të Presidentit Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane.
Me konfirmimin e tij, Eric Wendt pritet të nisë detyrën e re diplomatike në Shqipëri në vijim.
