Lajm i mirë për punonjësit në Greqi! Rritet paga minimale në 920 euro
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka njoftuar rritjen e pagës minimale mujore në 920 euro, duke e rritur atë me 40 euro krahasuar me nivelin e mëparshëm.
Sipas qeverisë greke, kjo është një tjetër hap në kuadër të politikave për rritjen e të ardhurave të punonjësve dhe përballimin e kostos së jetesës. Rritja pritet t’u sjellë përfitime financiare mijëra të punësuarve që paguhen me pagën minimale.
Autoritetet greke bëjnë të ditur se kjo është rritja e gjashtë e pagës minimale në vitet e fundit, duke e çuar rritjen totale në mbi 40% krahasuar me vitin 2019.
Paketa e re përfshin edhe ndryshime në skemat e vjetërsisë në punë, si dhe ndikime në pagat e sektorit publik dhe në disa përfitime sociale, të cilat pritet të përmirësojnë të ardhurat e një numri të madh qytetarësh.
Duke prezantuar masat, Mitsotakis theksoi se forcimi i ekonomisë dhe mbështetja e punonjësve mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisë, veçanërisht në një periudhë me sfida ekonomike ndërkombëtare.
Rritja e pagës minimale do të hyjë në fuqi më 1 prill, ndërsa objektivi i qeverisë është që ajo të arrijë në 950 euro deri në vitin 2027.
Sipas autoriteteve, përfitime shtesë pritet të kenë edhe punonjësit nën moshën 30-vjeçare, falë lehtësive fiskale dhe masave mbështetëse për të rinjtë në tregun e punës.
Nga kjo rritje pritet të përfitojnë edhe mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të cilëve do t’u rriten të ardhurat mujore dhe fuqia blerëse.
