Kur blejmë vezë, një nga pyetjet më të zakonshme është nëse ato janë vërtet të freskëta dhe cilësore. Etiketat në ambalazh shpesh premtojnë prodhim organik ose rritje në ambiente të hapura, por jo gjithmonë është e lehtë të kuptohet nëse këto pretendime janë reale.
Ekspertët këshillojnë që, përpara blerjes, t’i kushtoni vëmendje etiketës dhe mënyrës së prodhimit. Vezët nga ferma ku pulat rriten në ambiente të hapura dhe ushqehen me produkte natyrale konsiderohen përgjithësisht me cilësi më të mirë.
Çfarë tregojnë etiketat?
Pulat që rriten në kullota kanë më shumë hapësirë për të lëvizur dhe ushqehen në kushte më natyrale. Nëse ushqimi i tyre është organik dhe pa organizma të modifikuar gjenetikisht (OMGJ), vezët zakonisht certifikohen si organike.
A ka rëndësi ngjyra e lëvores?
Ngjyra e bardhë ose kafe e vezës nuk përcakton cilësinë. Ajo varet nga raca e pulës. Pulat me pendë të bardha zakonisht bëjnë vezë të bardha, ndërsa ato me pendë kafe bëjnë vezë kafe. Nga ana ushqyese, të dyja janë të ngjashme.
Sekreti fshihet te e verdha
Një nga treguesit më të mirë të cilësisë është ngjyra e të verdhës. Sa më e errët dhe më intensive të jetë, aq më shumë tregon se pula është ushqyer me një dietë të pasur dhe natyrale. Megjithatë, duhet pasur parasysh se në disa raste përdoren edhe aditivë që mund ta bëjnë të verdhën të duket më e fortë në ngjyrë.
Si ta dalloni një vezë të freskët?
Kur e thyeni, veza e freskët ka të bardhën të trashë dhe kompakte, ndërsa e verdha qëndron e ngritur dhe nuk përhapet menjëherë. Nëse të dyja përhapen shpejt dhe duken shumë të ujshme, kjo mund të tregojë se veza nuk është më e freskët.
Duke kontrolluar etiketën, pamjen e vezës dhe konsistencën e saj pas thyerjes, mund të bëni një zgjedhje më të sigurt për cilësinë dhe freskinë e produktit që konsumoni.

Be First to Comment